Dreqi Kthehet n’Kosovë

 

Për t’a dëgjuar audio-podcast-in, klikoni ikonën “play”:

Ose klikoni në link-un e mëposhtëm nëse dëshironi t’a shakarkoni për dëgjim në shtëpi ose në mp3 play-erin tuaj të preferuar: Shkarko, ose dëgjo direkt nga iPhone-i/iPad-i.

 

Dreqi Kthehet n’Kosovë

 

Njiherë moti, para do’ shum’ kohe,
kah Kosova, Dreqi kish kalue,
dhe shum’ shpirtna i kish pas ble’,
buxhetin e Ferrit tuj e pasunue.

Epizode nga Seriali “Lahuta2.0”

 

Dhe kur ky fakt t’ju kish kujtue,
Kish vendosë prap me u kthy,
“Djepin e lirisë” m’e vizitue,
ku për çmim të nji shpirti, i blen dy.

 

Dhe shpejt’ u nis’ me fluturue,
mes flakëve t’Ferrit t’zi
hijet e liga tuj i tejkalue,
për n’Kosovë sa mâ shpejt’ me mb’rri.

 

Udhërrëfyesi i Ciklit të Dreqit
  1. Dreqi Viziton Kosovën (në shkrim e sipër)
  2. Dreqi Kthehet n’Kosovë
  3. Dreqi Mallkon Kosovën (në shkrim e sipër)

 

Lyp’ e lyp’ Dreqi, kur ta kish pa’
një zotni të ri si mollë e stinës,
tuj e pritë mesnatën me râ,
te udhëkryqi i madh i Prishtinës.

 

Ky ish Shaqir Shaqa, heroi jonë,
që shumë suksese i kish pas arritë,
prej kur zanatin e vjetër e kish lânë.
A thue pse n’udhëkryq ish tuj pritë?

 

Shaqir Shaqës i dukej drejt e n’sy,
se diçka fort po e mundon.
“O’ ti djalë, me t’vetë a ka mund’si:
Çka â’ kjo kângë që p’e fishkëllon?

 

“Pse n’pikë të territ je tuj qendrue?
E, pse, n’mes t’udhëkryqit të madh,
kângë t’Shejtanit ju tuj këndue,
si m’e pas n’Botë ma t’madhin hall?”

 

E zotnija me frikë t’a kish kqyr,
u tut’ m’i thân’: “kqyri punët e tua!”,
“Sepse Dreqin jam tuj e thirr,
nji nderë n’mujsha me ja marr hua.”

 

A thue Shaqa ka me shkretue?
Dhe n’grackë t’Dreqit ka me râ?
Lakmisë a ka m’i përballue?
K’saj sfide t’madhe qysh ka me ja bâ?

 

“Veq diçka du, o ti Mixhë, me m’ tregue:”
t’i thot’ Shaqa, gati tuj u dhie n’brekë:
“Përpara a mos jemi takue?
A mos e kemi hangër bashkë ‘naj drekë?”

 

Kur Dreqit pështyma n‘fyt t’i kish’ mbetë,
qaq shum’ ish’ pas kân’ befasue,
tuj u kollitë Bisha kish mbetë,
zjarri i syve dojke me ju shue.

 

Dhe Shaqa, tashti tuj buz’qeshë,
Si diçka me ju pas kujtue,
t’i kthehet Shejtanit n’vesh:
“A s’po m’njeh, o Dreq, ti mue?”

 

Kur naltë e n’kâmbë Djalli t’ish çu,
me dy brina t’mbrefta n’krye,
formën e vërtetë ta kish tregu,
T’kuq si flaka gjoksin tuj e frye.

 

“Aferim, djalo, q’i m’ke zbulue.
Po’, tregom a mos je naj far hoxhe?
Largqoftë, mos po do’ me m’bekue?
Mos je prift, me mue tuj lujt koqe?”

 

Dhe Shaqa, t’Paudhit t’ju drejtue:
“Jo, o Princ i Errësirës, o Gjarpën plak,
Jam unë, Shaqa, a s’po mun’ m’u kujtue?
Bashkë e kemi nënshkru besën me gjak.”

 

Dhe Dreqi shpejt Shaqës gishtin t’ja pickoi,
Dhe kur pikës së gjakut t’i mori erë,
Ai Shaqën menjëhere e dalloi,
Si njanin prej sherbëtorëve të vetë.

 

“Po ku je o Shaqir Shaqa,
se mezi që t’kam dallue,
Që prej herës t’fundit që t’kam pa,
Qaq shum’ paske ndryshue.”

 

“Kôke bâ alamet djalë zotnije,
S’a t’bukur kravatën e paske v’nue.
Leckat e vjetra q’i ishin tuj tu shkye,
me kostum t’shtrenjt i paske ndërrue.”

 

“K’pucat e reja qysh po t’rinë?
Si Luli Vocërr, n’mend t’mbaj.
Xhipin, e ke me naftë, a me benzinë?
E paske mâ t’fortë se treqind kuaj.”

 

“A po kie boll vend n’banesën e re?
E s’je mâ rrug’ve tuj ladrue.
Qysh i ke llogaritë bankare?
Pun’t me pare i paske rregullue.”

 

“Gjynah, dëgjova, që n’toka tua,
autostrada kish m’u ndërtue.
Ndoshta t’del hajër, a thua?
Mesiguri kan’ me t’kompenzue.”

 

“Me vota, qysh po shoh,
pun’t shum’ mirë i kie:
njëqind-e-katërdhjetë përqind,
zor që fitohen, as n’Rusije.”

 

“Veq ty, tuj tu faleminderue,”
T’ja kthen Shaqa Shejtanit:
“Prej herës t’fundit që jemi takue,
jam hyp’ n’krye t’Hyqymetit e t’Vatanit.”

 

“Veç nji send, Dreq, m’ka mbet zhig,
qysh harrova prej teje me kërkue,
asaj dite që shpirtin ta kam shitë,
që n’krye t’partisë me m’vnue.”

 

“Dëgjo, Dreq, çka kam me t’kallxue:
Edhepse shpirtin veç ta kam treg’tue,
Sot unë t’kam thirr tuj fishkllue,
Që kët’ dëshirë ti me ma plot’sue:”

 

“Du’, m’u bâ i pari i partisë:
krejt Kosovën n’dorë m’e shti':
i paprekshëm, edhe prej alltisë:
absolut, du’ m’u kânë me fuqi.”

 

“Po’ mâ s’pari, nji gjâ du me ma tregue:
Çka t’ka pru’ n’këtë vend t’shkretë
ku edhe sorrat pritojnë me fluturue,
të braktusuna edhe nga Zoti vetë?”

 

Dhe Djalli, si zotni që ish’ kânë,
Shaqës krejt t’vërtetën ja tha:
Prej problemeve me shpirtna t’zeza,
e, qysh puna gjithandej kish râ.

 

“Shum’, Shaqë, t’kisha ndihmue,
po’ plot do probleme m’u kan bâ,
n’borxhe deri n’fyt jam tuj sharrue,
saqë demonât po dojnë me m’vra”

 

Qysh ekonomija e Ferrit ish’ lig’shtue
e, deri te problemet me qera:
qysh Xhehenemin s’mujke m’e pague,
se stoqet e zeza ishin tuj râ.

 

“Heu fatkeqësi, o fat fukaraje,
Qysh tash s’kam as shpirt me t’shitë.
Se prej kësaj t’zezës belaje,
kishim mujt me shpëtu të dytë.”

 

Por, Qoft’largu mirë t’u mendue,
Dhe e çeli qitapin e vet t’zi
ku çâshtjen filloi m’e fiqirue,
mes ligjeve t’errta, përsëri.

 

Dhe, kur mendoi se s’kish mâ shpresë,
mes rreshtave t’mshefun e gjeti:
“Qysh Me i Pre t’Dashunit n’Besë“:
Nji Ligj t’vjetër, sa Toka dhe Deti.

 

Nji Ligj t’vjetër që prej mesjete,
që shtrigat e kishin përdorë për magji:
se shpirti i t’afërmit n’familje,
kushton sa dy shpirtna t’rregullt t’zi.

 

“Paj dëgjo këtu o’ Shaqë jarani:
m’duket se nafaka na ka dal.
Këtë e ndalon Bibla dhe Kurani,
por une ty edhe nji dëshirë muj me ta fal’.”

 

“Mundem shpirtin tând m’e shkëmbye,
me nji shpirt t’pafajshëm e t’bardhë.
Tani shpirtin tând me ta kthye,
tuj fluturue, n’trup me t’ardhë.”

 

Dhe Shaqa mbeti tuj mendue,
n’mendje t’veten tuj ba llogari,
ofertën e Dreqit tuj e peshue,
qysh me u bâ i pari n’parti.

 

A thue Shaqa ka me shkretue?
Dhe, n’grackë t’Dreqit ka me râ?
Shpirtin e kujt ka m’e tradhtue?
A thu’, kush nanën ka me ja sha’?

 

Shpirtin e kujt, Shaqë, do me flijue?
A thu’ e shet Babën, Motrën, a’ Nânën?
V’llaun, Shaqë, a e kishe treg’tue?
A e kishe shit’ Di’llin bashk me Hânën?

 

A thu’ kôn Shaqa teposht’ze don m’e nge?
Kôn, Shaqa, ma s’shumti n’botë e don?
Kujt, Shaqa, besën don me ja pre?
Cilit shpirtit, Shaqa, elhamin do t’ja k’non?

 

“Erdh’ koha, Dreq, dhe unë jam mendue.
Tashti un’ ty kam me të tregue,
Emnin që un’ ma s’shumti e due
dhe, shpirtin e kujt kam m’e tradhtue.”

 

Kur Satani i hapi vesh’t me dëgju,
ai për momentin pak u çudit,
nuk ish’ i sigurtë a e kish kuptu,
emnin e kujt Shaqa vendosi m’e shit’.

 

“Mirë e pate, emnin e ka Hajdar.
E kam shok mâ t’ngushtë p’i fëminije.
Qebesa, e ka zemrën si mal,
me shpirt t’paqë si kângë ilahije.”

 

“Bashkë nëpër livadhe kemi vrapue,
e shpesh ujtë e t’njejtit lum e kemi pie.
Nëpër bjeshkë shpinat i kemi ngarkue,
me dru’ t’zjarrit, që darkën me zie.”

 

“Shpesh bashkë gjumin e kemi nda’,
nëpër stane kur kishim qëllue,
edhepse s’jemi vëllâzën prej t’njejtës nâne
Hajdarin mâ s’shumti n’Botë e due.”

 

Dreqi n’zemër m’u prekë kish’ fillue,
dhe fyti pak kish nisë me ju tha’,
prej tregimit t’Shaqës m’u emocijonue,
najkush tjetër qaty ja kish nis’ me kja.

 

I Mallkuari, që m’u siguru
nisi nji regjistër me lexue,
identitetin e këtij Hajdarit
kadal-kadale m’e verifikue.

 

Dhe, kur për lidhjen e fort’ u bindë,
që Shaqa me Hajdarin e kishin nda’,
Nji buz’qeshje filloi m’i lindë,
prej g’zimit për marr’veshjen q’e kish bâ.

 

“Nënshkruaj këtu, o’ Shaqir Shaqa,
kur kontratën mir’ e ke lexue:
për shpirtin e këtij far Hajdarit,
unë ty n’krye t’partisë kam me t’vnue.”

 

“Dhe sipas marr’veshjes, që e kemi bâ,
unë shpirtin tând t’zi kam me ta kthye,
se Hajdari aq i pastër â’,
ka vlerë për dy shpirtna m’u këmbye.”

 

Kur pun’t ligjore i kan përfundu,
nga nji kopje t’kontratës e morën.
Njani-tjetrit për hajër ja kan uru;
Shaqa tuj u ngutë e kqyri orën.

 

“E ‘bâfshe për hajër postin e ri”
I tha Dreqi Shaqës tuj e urue,
“Tash si shefi numër njô n’parti,
ke me u knaq tuj sundue.”

 

“Edhe ty, o Dreq, t’u rit’ ndera,
që me këtë ofertë m’ke p’shtue,
se për shpirin e Hajdar Magarit,
unë shpirtin tem e kam shpëtue.”

 

Dhe Shejtani qysh ish tuj pritë,
Hajdari m’i ardh’ tuj flututue,
prej fjal’ve t’Shaqës u çuditë,
për shpirtin që sa’ e kish treg’tue.

 

Kur n’qiell nalt, çka me pa?
Nuk ish’ as zog, as aerpolan, e as njeri;
s’ish’ as motër, as nânë, e as vëlla,
po’ shpirti i nji Gomari t’madh e t’zi.

 

“Shaqë, m’duket se jemi keqkuptue!
M’fal, po’ shum’ kjartë kontrata e cekë…”
mbeti Dreqi tuj belbëzue,
tym prej hunde filloi me djegë.

 

“Dreq, veq t’vërtetën ta kam tregue,
se’ Burrat zanatë s’e kan’ me rrejt,
Hajdar Magari, shumë m’ka mungue,
prej kur kam dal me jetu n’qytet.”

 

“Âsht dasht’, Dreq, mirë me mendue,
atij momenti, asaj minute:
para se mue me ma dhurue
gjithë këtë fuqi absolute.”

 

“Tash’ Kosova e ka nji dreq t’ri:
Shaqir Shaqa emnin ja thojnë,
n’skenë politike â pak si i ri,
ama, prej pushteti s’ka qysh e rrëzojnë.

 

E, i Mallkuari t’ish’ tranue,
prej tërbimi ish’ tuj vlue,
qysh Shaqa e kish’ mashtrue,
me gomarë shpirtin tuj ja treg’tue.

 

Dhe Shaqir Shaqa t’ju kthye:
“Ec, Shajtan, e, thefsh qafën!”
Dhe, n’f’tyrë Dreqin ta kish p’shtye:
“Zhduku! S’du me ta pa as farën!”

 

Dhe nji shkelmi n’böth t’ja kish hije,
“Ik, dhe mbaje mir’ n’mend çka po t’thôm:
Mos gabo prap kn’ej mu kthye,
se kam me ta coptu çdonjanin dhâm’!

 

E Dreqi t’bâni bé tuj u largue:
se ka m’e gjet’ nji mënyrë m’u hakmarrë,
dhe Shaqën nji ditë ka m’e shkat’rrue,
për tradh’tinë e rândë me magarë.

 

Në epizodet e ardhshme: tregimi mbi takimin e parë mes Dreqit dhe Shaqës; dhe tregimi mbi hakmarrjen e Dreqit ndaj tradhëtisë së Shaqës.

 

Cilat janë marrëveshjet e juaja me Dreqin? Çfar keni kërkuar dhe çfar keni tregtuar? Na tregoni në twitter @artrit dhe përdorni “hashtag-un” #dreqiks

 

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>