Nga Shpella në Shpellë – Pse?

AT&T Long Lines Building

Për t’a dëgjuar audio-podcast-in, klikoni ikonën “play”:

Ose klikoni në link-un e mëposhtëm nëse dëshironi t’a shakarkoni për dëgjim në shtëpi ose në mp3 play-erin tuaj të preferuar: Shkarko, ose dëgjo direkt nga iPhone-i/iPad-i.

Nga Shpella në Shpellë – Pse?

Ky është një rekuiem për dritare. Një ëndërr për të krijuar një iluzion drite në errësirrën e përditshmërisë rutinore që t’a dhuron jeta në Qytetin e Madh. Si milingonë punoj i mbuluar nga mali prej letrave të cilat presin për t’u përpunuar dhe shëndërruar në një mal akoma më të madh burokracie. Në këtë zyre, ku drita e zbehtë fluorescente m’i dogji vitet më të mira të jetës, unë lutem për një rreze dielli prej jashti.

Unë lutem, përkundër faktit se gjendem brenda njërit prej bunkerëve të Enverit; dhe e di se çdo gjë që është e prekur nga kujtimi i tij është imune ndaj lutjeve, ose fesë, ose çfardo spiritualiteti. Dhe kështu, pa shpirt, unë ngadale vyshkem. Sytë më dhembin kur shikoj ngjyrën e betonit të murreve klaustrofobike të zyrës sime që m’a zejnë frymën.

Në punë prej mëngjesit deri në mbrëmje, pa e parë dritën e diellit, të barikaduar në këto bunkera që i quajmë “zyre”, ngadale fillojmë të çmendemi. Në rast të ndonjë holokausti bërthamorë, ne akoma do të vazhdonim të fotokopjonim dokumentet tona në rutinat burokratike të pa-kokë.

Ne do të vazhdonim t’i firmosnim këto dokumente, pastaj do t’i dërgonim për vulosje, më tej, do t’i fotokopjonim, në mënyrë që pastaj t’i çojmë për verifikim në ciklin e pafund të pakuptimshmërisë. Dhe kështu ndërsa Bota do të mund të ishte duke përfunduar, ne vazhdojmë lodhjen dhe punen pa pushim në injorancën tonë si bubrreca e milingona (pa vetëdije).

I gjithë ai revolucion teknologjik dhe evolucion shoqërorë i kalitur gjatë shekujve, nuk ka arritur të ndryshojë kushtet më themelore të jetës së njeriut (apo t’i japi ndonjë kuptim, sa për atë punë). Ne akoma jetojmë në shpella. Fizikisht, akoma jemi duke jetuar si Neanderthalët (të barikaduar brenda shpellave tona prej betoni e çeliku). Kurse mentalisht, akoma jemi të lidhur me zinxhirë brenda Shpellës së Platonit, akoma në padituri, duke shikuar hijet tona.

Në këtë lloj ambienti ato pak zyra që kanë dritare janë shëndërruar në tregues të statusit dhe arritjes. Vetëm drejtorët dhe të përkëdhelurit e korporatës/regjimit (si shpërblim) gëzojnë pamje që nuk janë edhe aq piktoreske.

Shpesh mendohem përse mundohemi kaq shumë. Për një dritare të vogël me shikim piktoresk nga deponija e plehrave? Pse mundohemi kaq shumë për një të drejtë themelore njerëzore?

A është kjo arritja më e madhe e civilizimit njerëzorë? Krejt çfar kemi bërë është: kemi zëvendësuar shpellat e gurit për ato prej çeliku dhe betoni.

Gjatë tërbimit tim mallkoj shoqërinë që na ka mashtruar me gënjeshtra derisa rriteshim. Shpërblimi për tërë mundin e këtyre viteve na paska qenë dënimi me jetesë në errësirë. Në të njejtën periudhë të fëmirisë kujtoj Babin që shpesh më pyeste: “A je burrë a’ burrec?”. Shpesh po më duket vetja si burrec, si bubrrec, si milingonë e pa vetëdije, që palidhje bart male letrash në rrëmujën burokratike gjatë errësirës shpirtërore të kohëve gjatë të cilave jetojmë.

Por unë jam duke dalur prej teme me këto tregime ekzistencialiste. Krejt çfar unë dëshiroj është një dritare në zyrën time. Dua që dielli i pasditës t’ma pjeki pjesën e djathtë të fytyrës. Dua që ngjyrat e gjërave t’a kenë atë kontrastin e fortë me hije të theksuara nga ndriçimi i mesditës. Dua që të mund t’a hapi dritaren për të marrur ajër të pastër, dhe të mërdhihem nga të ftohtit. Dua të vëzhgoj shiun derisa bie dhe cingëron xhamave. Dua t’a vjedhi ndonjë rreze drite për lëkurën time të zbehtë.

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>