Ringjallja e Lugatit Çetnik

Për t’a dëgjuar audio-podcast-in, klikoni ikonën “play”:

Ose klikoni në link-un e mëposhtëm nëse dëshironi t’a shakarkoni për dëgjim në shtëpi ose në mp3 play-erin tuaj të preferuar: Shkarko, ose dëgjo direkt nga iPhone-i/iPad-i.

Për vazhdueshmëri shikoni dhe dëgjoni Kângën e Parë: “Nipat e Mujit dhe Halilit Luftojnë Promajën“.

Kânga e Dytë: Ringjallja e Lugatit Çetnik

Kur nipat e Mujit dhe Halilit si trima,
Promajën n’betejë e kishin shkatërrue,
betejën e përgjakshme kurrkush s’un e kish pa,
prej pluhurit dhe rrëmujës që ish pas çue.

Ende ditë e sodit, nuk po dihet hala
se si këta trima në fitore arritën;
As Orat me Zana prej qielli tuj i pa,
nuk ja dolën m’e diktue të msheftë pritën.

Diçka shumë e dyshimtë kish fillu’ me ngjâ,
Por krejtve gjithçka po i’u duket në rregull
Askujt ndërmend s’i shkon që pyetje me bâ:
Prej nga kish fillue me râ gjith’ ajo mjegull?

Aty përtej trimave, n’vdekje e shtrirë
dergjej Promaja, përmes fushe tuj kullue
me gjak të kaltërt tokën duke e ndyrë,
ujtë e përrojeve kish’ fillu’ m’i helmue.

Kur një zotni tuj kalu nga aty pari,
prej udhëtimeve t’largëta tuj u kthy
shkel gjithkah nëpër të fëlliqurin bari
kryelartë ecë, pa e kqyr tokën me sy.

Dhe kështu kurthin në lëvizje tuj e shti
si dhâmbëzat e një maqine tuj i rrotullu,
me këpucë ai helmin e bie në shtëpi,
ku dy kreshnikët mysafir’ i kishin qëllu.

Në odë të kullës si ishin tuj kuvendu,
të mahnitun me Zanën që e kqyrnin në sy,
trimëritë e ditës tuj i ri-tregu,
ngadal ngadale helmi në trup tuj i hy.

Nga dritarja e odës, në t’majtë t’oxhakut,
pakëz djathë prej pushkëve t’varruna n’murrë,
dukeshin fushat e lagura prej gjakut,
posht’ maleve t’thepisuna përplot me gurë.

Mu aty përtej kësaj kulle
oborri i së cilës fushë mejdani ish kan’
frymën e fundit ish kan tuj e marrë
përbindëshi i mundun prej trimave tanë.

Mbi këtë fushë t’mejdanit ku gjith’ fryen era,
mbi bari e shtrirë dergjet Promaja,
në gjak i ka t’shpërlara luspat me therra,
si lule n’a i vyshken krahët e mëdhaja.

Përreth trupit të saj, bari ish pas tha’,
as mizat nuk po guxojnë me i’u afrue
si në shkretëtinë toka kish fillu m’u ça,
një erë e rândë me ardhë kish fillue.

Në lartësi mbi tokë era t’u shëndërrue
në muzikë të dhimbëshme që tingëllon
sikur përbindëshin me qenë tuj e vajtue,
e me shpirtin e bishës fillon e vallëzon.

E të çohet shikimi prej varrave t’saja,
bashkë me shpirtin që âsht’ me gjak tuj i dalun,
dhe t’fluturojn për t’fundit herë përmbi maja
dhe fusha t’Kosovës që jetën ja kishin marrun.

Dhe fluturojn qiellit, përmbi re
kalojn fusha, lumenj e pyje t’blinit,
deri në maje të Kopaonikut në veri
hynë në sy të Shtrigës përtej kufinit.

Shtriga Veshticë me të dy sytë shikonte:
Nga njëri sy loti tuj rrjedhë i pikon
faqes s’shëmtuar me t’cilën t’bijën përqafonte,
që tash bashk me përbindëshat e saj po e vajton.

E gjith’ ajo zemër e kalbun s’kish mjaftue,
kur Veshtica pa si i dergjet e bija përtej kufini,
nga dhimbja për fëmijën s’un kish shpëtue,
as edhe kjo keq’sirë që i dridhet syni.

Por, syni tjetër diçka si çuditshëm shikon:
sikur pamja që sheh nga gëzimi shkëlqen,
sikur i bëhet qejfi në vend se të vajton,
faqen tjetër lartë në buzëqeshje e ngren.

Kurthi i mashtrimit që e kish pas lânë
m’a n’fund krejt kish përfundue
të gjita copat në vend t’vet kan’ rânë
dhe plani i saj me marr’ formë kish fillue.

“Është koha!”, i urdhëron përbindëshave t’vet
Shtriga Veshticë kah turma tuj u drejtue,
“Bjermëni djalin nga varri”, fillon u bërtet.
e ata nga frika ja nisin me vrapue.

Tuj prit’ Shtriga, kalon buzë njânës greminë,
aty te një shkâmb ku mbaronte mali âsht afrue,
dhe e hjek prej krahëve t’zezën pelerinë,
mbi shkâmb, krevat për djalin e saj tuj e shtrue.

Kështu në atë maje mali plot’ borë
e nxjerrin prej varri një çetnik me mjekër
plot mëkate ishin bâ nga e tija dorë,
gjatë jetës t’çueme si kafshë e egër.

Përbindëshat t’ftohtën kufomë tuj ja mbajtun,
ja shtrinë trupin mbi shtratin e zi shkâmborë,
rreth e përqark tij krejt bishat janë mbledhun,
n’kokë ja vëjnë t’çetnikve kapuçin katrorë.

N’krye të rrethit rrin Shtriga tuj kuvendue,
kângë të magjive të zeza tuj këndue.
lartë kah qielli duart i ka çue,
reve t’errëta u lutet, ndihm’ tuj kërkue.

“O ju re, atje lartë në qiell, pa më dëgjoni:
pashë atë aftësi, jetë për me dhânë,
O ju lutem që mua t’zezën t’më ndihmoni,
pashë atë fuqi, që as Zotnat nuk e kanë.”

“Prej juve kërkoj rrufejë dhe vetëtimë
që nga qielli të shkarkoni plot dritë,
t’ja elektrizoni trupin djalit tim,
që të vdekurin nga gjumi m’e tronditë.”

“Ju kërkoj bubullimë; malet le t’ushtojnë,
le të dridhet toka, e të bëhet tërmeti,
nëpër hapsirë dhe kohë le të jehojnë,
t’i hapen veshët, këtij t’lugetërve mbreti.”

“Ju kërkoj shi, o, që pak jetë me i dhânë,
t’ja lajë trupin, që era tokë t’mos i vijë,
se mjaft gjatë nën dhé tuj u kalbun âsht’ kânë,
e nga barku si një bimë jeta t’i mbijë.”

Dhe kështu retë t’i gjuajnë vetëtimat,
dhe shiu t’fillon t’ja lagë trupin e zhlymë,
i gjithë mali ushtonte nga bubullimat,
dhe çdo gjymtyrë të kalbun t’ja dridh’ me rrymë.

Mirëpo, nga gjumi i thellë që e kish kaplue
të vdekurin lugat nuk po e zgjonte dot,
e Shtriga Veshticë me vete t’u ‘idhnue
tuj mendue se krejt mundi i kish shkue kot.

Kështu Shtriga pushoi lutjet kah qielli,
dhe kokën e afroi m’u te veshi i tij
duart ja vendosi mbi të ftohtin balli,
Dhe në fund t’ja këndoi këto magji:

“Zgjohu o biri im i vdekur, mblidhe forcën,
se motra jote Promaja n’kët’ botë s’âsht mâ,
n’fushë t’mejdanit ajo dergjet e shtrirë,
se dy trima shqiptarë atë e kan vra.”

“Zgjohu biri i nânës, zgjohu o trim i Shkijnisë,
A s’po t’dhimbset motra? A nuk t’ka zemra mallë?
A i ke harru momentet e fëminisë?
Se, fytyrën e saj s’ke me pa mâ të gjallë!”

“Vdekjen e motrës si nuk çohesh me e vajtu?
Që as dashuri nuk mujti me njoftë kurrë!
s’pat kohë as për pajë t’nusëris’ me mendu,
as nuk mujti me gjet’ naj përbindësh për burrë.”

“A t’a ka ngri’ zemrën ftohtësia e varrit?
Apo t’a kan hangër krymbat tuj t’a coptue?
A mos t’u ka smu’ truni si najnjë të marrit?
Zgjohu, biri nânës, si s’çohesh me veprue!”

“A s’ke ti kështu ndjenja? Si s’t’vijen aspak inati?
A nuk të dhimbset motra që të kalbet pa varr?
Duhesh m’u çue në kâmbë o ti i ngrati,
që poshtërimin e motrës ti me e hakmarr’.”

“Kot trimave tuj i thirr’ ulëras un’ e mjera,
kur të gjithë në nuse janë shëndërrue
nuk ka mbet’ mâ shkja i kohënave të vjetra,
që zakonin e shkijeve me e nderue.”

Dhe kështu valët e zânit në vesh t’i hynë,
e trupit të tij të vdekun t’i udhëtojnë
si rrymë ja dridhin zemrën në mallëngjim,
dhe nga gjumi i thellë i vdekjës t’a zgjojnë.

Prej ri-ngjalljes tuj qenë akoma i ligë,
shtriga e ndihmon lugatin m’u drejtue,
një pulës qafën ja prenë me një thikë
i jep gjak me pi, që prej gjumi m’e zgjue.

“Dobrodosh’o sine”, i thot kur ky hap sytë
shtriga, lugatin çetnik fort t’a përqafon
“Mirësevjen përsëri në jetë djali jem”
dhe nga turma sytë kapedanit ja drejton:

Kur sytë e tija të kalbuna shikojnë
ish-batalionin, krejt të ri-ngjallun
n’fushën e pafundme me borë pushojnë
të gatshëm për me pré dhe për me kallun.

Ishin renditur krejt çetë pran çete
lugetërit e ri-ngjallur çetnikë,
Krye-lugatin tuj e përshëndetë
urdhërat e ish-kapedanit tuj i pritë.

Dikush pa kambë, dikush pa dorë â’,
prej dheut, të ndyrë, krejt lloq të shpërlarë,
krejt me mjekërra si leshi plot morra
sytë i kan’ t’kuqe që i qesin zjarrë.

Disa i rrudhin të zbehurat fytyra,
tjer’ve naj krymb prej faqes tuj i rrëmue,
me mish të kalbur, tuj i ardh era,
krejt mizat rreth koke tuj i fluturue.

“Shiko, Ratko, vllaznín’ e ngjallun përmbi dhé,
janë ish-ushtarët e tu të zi,
me të cilët bashk’ fëmijë e gra keni pré,
prej llogoreve t’Bosnjës, e deri n’Kroaci.”

“Folju, Ratko, shok’ve, se zanin dojn m’e t’a ndi,
që imazhet e tymosuna me ja’u kujtue:
shtëpiat dhe kullat që flakën j’au keni shti,
farën e Shqiptarit për m’e asgjësue.”

“Si shpërngulët njerëz prej shtëpive të veta,
Si vratë pleqë, e foshnje akoma në gji,
Si dhunuat qika, e plaqkitët zonja t’veja,
Prej Fushës t’Kosovës, e deri në Dukagjin.”

“Bjeshkët e Nemuna si i keni mallkue,
bashk me Pashtrikun, e besa edhe Sharrin,
që prej toke me i shkulë jeni mundue,
që njerëzve të therrur me j’au bâ varrin.”

Kur Krye-çetniku t’fillon e ulëret
me parulla të vjetra të shkijnisë
cubave të tij lugetër t’i drejtohet
se gjoja Kosova âsht’ zemër e Sërbisë.

E, t’gjith’ lugatët t’u çunë peshë
si n’kohna t’vjetra, n’maje të terrorit,
si kur nuk lanë pa djegun shtëpi as fushë
në emër t’Sllobës, atij horr’ bir horrit

Dhe kur cubat t’ja nisën me festue
si me qenë gota për dolli
tuj i cakrrue armët e thikat, kan fillue
tuj u nxeh’ për luft’ kjo e lugatërve hordhi.

Atëhere një xixillonjë u afru
herë tuj bâ dritë, e herë tuj u zhdukë
rreth e përqark trupit të Shtrigës tuj fluturu
si shum’ e njofshme diçka j’a nisi m’u duk’.

At’here drita t’filloi me u rritë,
përpak krejt ata aty me i çorrue
Villa e Bardhë krejt rreze tuj shëndritë
prej trupit t’xixillonjës ajo t’u shëndrue.

Me flokët e bardha që ende i notonin
rrezeve të ndritshme si prej vetë Perendis’
tuj ecë me vithe që i gjëmonin
si nga barku t’kish pjell’ parinë e Shkijnisë.

Kremtimin e zhurmshëm t’a ndërpret kjo Villë,
ish kânë bukuroshe e tân’ Sllavërisë,
e bardhë si bora, dhe e hollë si fy’ll
drejt e te Shtriga Vecë n’a ishte nisë.

“Oj e mjera motra ime e zezë,
Çka jan’ gjith’ këta përbindësha vërdallë?
Çka po bân kështu këtyre orëve t’vona?”
Mos m’thuj se krejt këta lugetër i ke ngjallë!”

“A jam çue jermt? A po m’bâjnë sytë?
Kush âsht’ ky mâ i madhi Lugat tuj ndejt gjallë?
Mos m’thuj se âsht’ Ratko Çetniku, djaly yt,
që gjysmën e Botës për pak që s’e kish kallë!”

“Me urdhër të kujt ka fillu kjo gjâmë?
N’kuvend krejt hijet, dakord a nuk kemi râ?
Që as n’luftë, as n’paqë, e n’asnjë rrethanë,
Ratko Lugatin s’guxojm’ m’e zgjue kurrë mâ?”

“Ekzistojn arsye përse paria ishte mbledhun,
të shkijnisë krejt trimat e bashkë me hije,
dhe për Ratko Lugatin kemi pas vendosun,
në gjumë të përhershëm të vdekjes m’e shtije.”

“Ai âsht i pandalshëm, turret si kali pa frena,
shkatërrimi i tij askujt s’i levërdisë,
përveç hakmarrjeve tua të çmenduna,
për betejat e humbuna të shkijnisë.”

“Më beso motër, kaq mirë kur të them:
udhëtimin nëpër kohë e kam shijue,
besom’ kur t’them se edhe mue zemra më dhemb,
se t’kaluarën nuk mundemi me ndryshue. “

“Në të tashmen duhemi me u përqendrue,
që t’i krasisim degët e ardhmërisë
nga trungu i kohës që âsht’ tuj lulëzue,
tuj përzgjedhun mâ t’mirën ardhmëri t’shkijnisë.”

“Prej krejt ardhmërive të mundshme, që un’ kam pa,
gjat’ shëtitjeve në kohë që kam shijue,
prej të gjithave dallohet si më e mira,
ajo që kah perëndimi âsht’ tuj shikue.”

Kurse Shtriga Veshticë, dëgjo se çka i tha:
“Ke fillu m’dukësh si e Shqipeve Zanë,
Largo’mu sysh’ motër, fytyrën s’du me ta pa!
Pse kështu flet dhe atyne anën ja mbanë?”

“Qysh nuk t’vjen marre kështu me na tradhëtue,
Ai gjini i nanës, a nuk të dhimbset ty ?
Që të dyjave me tamël n’a ka ushqye,
që ti tash me k’si fjalë Shkijninë me e fy.”

“Qysh mundesh motra ime e bardhë,
mâ t’afërt m’i pas t’huajt se njerëzit e tu?
Qysh ka mundësi që kësi kohe me ardhë
që t’kalumen tânde je tuj dasht me e harru.”

“Kujtoju çka ke bâ krejt për çështje t’shkijnisë:
Sa shpija ke kallë dhe sa armiq i ke vra?
Mos m’u shit tash si engjëll i Perendisë
tuj më thânë se kohët kan qenë tjera!”

“Të njejtën gjâ jemi tuj e dasht, oj motër,
por ti këtë nuk je hiq tuj e kuptue,
se nuk bâhet ardhmëria e krejt Shkijnisë
n’premtime t’Perëndimit që kan me dështue.”

Prap, Villa tuj dasht me e bindë t’ju kthye:
“Shiko nga Perëndimi, drejt ardhmërisë:
A e sheh me sa ndriçim asht tuj shkëlqye?
Âsht’ një nga ardhmëritë e mundshme t’Shkijnisë!”

“Nuk je e vetëdijshme, e s’ja ke idenë,
çfar ardhmërije t’zezë po ja mbjellë farën!
Mos e bâ kët’ t’keqe motër, o pashë fenë!
Hajde shpëtimit t’shkijnisë bashk’ t’ja bâjm’ çaren!”

E kur Villa pa se Shtriga s’ish tuj e përfill,
atëhere vendosi bisedën m’e ashpërsue.
me e prekë n’tel, prej deluzioni m’e shashtrisë.
“bardh’-e-zi”, qysh qëndrojn’ gjanat me ja dëftue.

“Tregom: Si nuk ke as pikën e mëshirës?
A nuk të dhimbsen njerëzit e pafajshëm?
Pa përgjegjësi i bân gjânat, sipas dëshirës,
Tuj mos u mërzitë për asnjë zarar t’dâmshëm.”

“Tregom: Si mundet zemra jote me durue?
Kur e sheh të bijën tânde tuj u dergj n’fëminí,
Si nuk t’u dhimb’t hiq që m’e sakrifikue?
Për hir t’ândërrave të humbuna për Shkijní.”

“Promajën e kam përcjellë me sytë e mi,
tuj rrjedhë gjak që prej kur mbi at’ mejdan kish’ râ.
Nevojën për m’e marr’ hakun shum’ mirë e di,
kur arsyet e vërteta n’fshehtësi jan’ bâ.”

“Me gjith’ at’ ushtri që prej vdekje e ke çue,
dhe Ratko Çetnikun që kaq ngusht’ e ke nxânë,
që gjakun e motrës m’e marr’ e ke detyrue,
Mos mendo se nuk di krejt kjo çka domethânë.”

E këto fjalë Shtigën shum’ keq t’a kan nxeh,
saqë edhe duart fillojnë me ju dridhë,
e t’i hypë gjaku, sytë gati me i pëlcit,
s’po flet dot, prej inatit gjuha ju kish’ lidhë.

E prej brenda t’i vjen njí fuqi si prej bishe,
e në tërbim kah Villa t’âsht vërsul,
tuj ja ngjit me njânën dorë për gushe,
në shtrëngim fytin e saj tuj ja furr

E me dorën tjetër, të merr shumë héz,
dhe në gjoks thonjët si therra t’ja ngulë,
tuj shpërthye gjaku e tuj stërpikë
dhe prej vendi zemrën Villës t’ja shkulë.

E t’a lëshon Shtriga njí piskamë të fortë,
dhe zemrën e përgjakshme që hala ish’ tuj rreh
tuj e mbajt si trofe në grusht, t’a çon lartë,
që krejt ushtria e lugetërve atë t’a sheh.

Qysh gjaku prej zemrës së shkulun ish’ tuj pikue,
ashtu, veq tuj e kqyr fillunë m’u eshtue
lugetërit që prej gojëve ishin tuj lëngue,
me sy, mishin e freskët tuj dasht me shijue.

Shtriga, Villën hala pezull n’ajër tuj e çue,
niset që zemrën e lângshme me ja dhurue,
djalit të vet Ratko Lugatit tuj ju afrue,
me këto fjalë t’ja nisë m’i urdhërue:

“Haje këtë zemër të freskët pa frikë,
se ka me të mbushë me jetë dhe magji,
shijoja gëzimet dhe dhimbjet, tuj përtypë,
thithe gjakun e tradhëtares, se do t’jep fuqi.”

Me t’a hangër zemrën Ratko Lugati,
krejt fuqija i erdhi dhe u ripërtri,
hala gojën me gjak, ja nisi m’u bâ gati,
tuj u përgaditë për n’troje Shqipe me hy.

Qysh Villa frymën e fundit ish’ tuj e dhân,
prej varrës së përgjakshme të gjoksit
njí  dritë verbuese t’i rrezaton,
dhe qiellin e natës krejt t’a shëndrit’.

Një bardhësi verbuese  krejt vendin t’a kaplon,
dhe trupin e Villës krejt t’a konsumon,
ngadale prej ekzistence me e zhdukë t’fillon
krejt masën e trupin n’energji t’ja shëndërron.

Aq shum’ errësira e natës ish’ ndriçue
saqë drita deri n’troje Shqipe kish mbërri,
prej ujit të Ibrit tuj u reflektue
gati të tanë Kosovën e kish pas mbërthy.

Aq larg ai ndriçimi kish pas shkue
e bile edhe te ajo kulla kish mbërri
ku trimat tanë kreshnikë bashkë me nji zanë
mysafirë ishin pas mbledhun për gosti.

Kur Zana çohet pa pritë e pa kujtue,
në zemër tuj e ndie një shtrëngim,
sikur dhimbjen e Villës vetë m’e pas përjetue,
në sy fillon me i ardhë si një turbullim.

“Ç’âsht kjo ndjenjë që zemrën ma rândon?
Si një parandjenjë e keqe që po më vjen.
Çka ka kjo errësirë e natës që ndriçon?”
Sikur diçka në rregull mos me qenë.”

“O trima a po më dëgjoni pash’ atë fé,
Diçka e keqe ka fillu me u afrue.
Një gjâmë e madhe âsht nis’ për tek ne,
Te Ura e Ibrit shpejt duhemi me shkue!”

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>