Thirrjet e Qytetit: Subway: Udhëtim Zorrëve të Bishës

Nga xhami i pisët i kupesë së metrosë shikoj reflektimin e deformuar të fytyrës sime. Mes emrave të stacioneve dhe imazheve të rrufeshme që më lëvizin nga e majta në të djathtë mundohem të dalloj se cilat prej këtyre vijave janë me të vërtetë rrudhat e ballit tim. Nën sytë e mi arrij të vërej të ënjturat nga pagjumsia. Mjekra ime nga reflektimi më bën të dukem si Neanderthal, ndërsa unë pyes veten se si më iku kjo javë aq shpejtë.

Rrjedhën e mendimit m’a ndërpren hapja e derës së trenit dhe me të, turma e njerëzve që grumbullohet për të dalur në eksplodim stërpikës si hapja e kanaçes së tundur të Koka-kollës. Kokëdhimbja ime fillon. Hapja e një kanaçeje të re çdo dy minuta m’a bën kokën të më ndihet si tenxhere me presion përplot ujë që është duke vluar, dhe krejt çfar mungon janë trutë e mi, për t’u zier si shpageta “al dente“.

Hapja e dyerve dhe dalja nga treni në atë stërpikje njerëzish, duket i vetmi shpëtim për trutë e mi. Mirëpo tani më zihet fryma ndërsa filloj të eci tuneleve nëntoksore. Vala e lagështisë së nxehtë më përplaset me vrull në fytyrë, dhe tani ideja e truve të mia të ziera “al dente” nuk tingëllon edhe aq keq. Pa marr parasysh stinën dhe motin që mund të zotërojë përmbi siëprfaqe, nëntoka asnjëherë nuk e shijon as borën, as shijun, e as flladin pranverorë. Këto tunele mbahen në nxehtësi dhe lagështi konstante të ferrit.

Tunelet e subway-it, si arterie gjaku, vazhdimisht furnizojnë Qytetin me njerëz. Organizmi i kësaj Bishe jeton prej energjisë që lirohet prej prezencës së njerëzve. Si Ferri i Dantes, zjarri në barkun e saj mbahet ndezur nga shpirtrat e mallkuar të cilët të humbur në hallet e tyre enden si pula pa krye tuneleve të koklavitura si zorrë.

Edhepse nëntoka e Qytetit nuk ka strukturën e njejtë me nëntë rrathët e Ferrit të Dantes, këtu i gjen po të njejtët personazhe dhe mëkate, prej të pastrehëve të harruar, epshit të prostitutave, pangopësisë të të trashëve dhe kusherinjëve të tyre të mbipeshë, lakmisë për para dhe fuqi të biznesmenëve, zymtësisë dhe zemërimit të punëtorëve të thjeshtë në vajtim të ëndërrave të tyre të paplotësuara, heretikëve bashkkohorë të përmbytur në kriza ekzistenciale në kërkim të kuptimit të jetës për kohët tona moderne, dhunës së përgjakshme të bandave dhe kriminelëve, gazetarëve dhe mashtrimit të tyre me reklama të maskuara si lajme në përpjekje për të manipuluar dhe shpërlarë trurin e masave, e deri tek tradhëtitë, prej atyre dashurore, e deri tek ato patriotike.

Derisa rrugëtimi im nëntë rrathëve të Subway-it në përpjekje për të ndërruar trenat shoqërohet me vizione të personazheve të Dantes, dhe ndërsa turma e udhëtarëve të panjohur që vazhdimisht janë vonë, më shtynë, dikush me krahë, dikush me bërryl, unë gëlltitem nga turma, dhe bëhem një me të, dhe si një rruzë e vetme e gjakut që përzihet në tretësirë qelizash gjakore, humbi duke notuar enëve të gjakut të këtij Qyteti.

Turma të merr me vete, turma të shkelë, turma nuk të respekton, nuk të pyet se kush je, çka bën, i kujt je. Turma të tretë, asaj nuk i dhimbsesh. Turma t’a shkel këmbën, t’a nxjerrë krahun, t’a then hundën. Turma të përplasë murreve të pista dhe t’i nxjerrë zorrët jashtë.

Nga të gjitha kafshët e egra, thonë se njeriu është kafsha më e rrezikshme. Nga të gjthë llojet e ndryshme të kopeve dhe tufave, turma duket të jetë më e tërbuara. Dhe nga krejt turmat e Botës, ajo e varietetit të New York-ut është më e frikshmja. Kur turma arrin masën e vet kritike, ajo vetëdijësohet. Në atë moment njerëzit humbin atë copë të fundit të vetë-kontrollit, dhe i dorëzohen zotërimit të turmës. Ajo shëndërrohet në gjallesë, ajo shëndërrohet në monstrum. Turma është krye-përbindshi i Botës nëntoksorë të zorrëve të subway-it që gjendet në rrethin e fundit të këtij ferri. Ky organizëm shumqelizorë i përbërë nga qenijet njerëzore vazhdimisht rritet në masë ndërsa gëlltit kalimtarët e pafuqijshëm.

Turma më gëlltitë, dhe tani unë përzihem dhe tretem aq shumë, saqë individualiteti im përzihet me atë të lypësit të pastrehë që kalon ditët dhe netët duke kërkuar lemoshë, ndërsa rrobat e tija vazhdojnë të ndyhen dita ditës, kurse e vetmja gjë që ri konstante me kalimin e ditëve është varfëria, skamja, dhe shpresa.

Turma më përtypë dhe në gojën e vet vazhdon të më perziej, ndërsa vetëdija ime mishërohet me atë të muzikantëve të rrugës, ndërsa jehona e ritmeve përcillet tuneleve duke më përfunduar në veshë, dhe prej aty në rrahjet e zemrës. Rrahja e zemrës më koordinohet me pulsimin e kokëdhembjes dehëse, dhe më përcjell në shtrat, në gjum, në zgjim, e deri në mëngjesin e ardhshëm, ndërsa unë nisem për në punë, dhe përsëri marr Subway-in, dhe përsëri dëgjoj pulsin e Qytetit, dhe përsëri bie në transin magjepës të tij (në një varshmëri të çuditshme të cilën asnjë nga drogat nuk është e aftë t’a emulojnë).

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>