Mbi Kosovën dhe Terminatorin

Terminator-Genisys-2015-Poster

Mbi Kosovën dhe Terminatorin

Terminator: Genisys është film i udhëtimit në kohë për nga forma, funksioni dhe përmbajtja. Kthimi në kohë është pjesë integrale e fabulës meqë është e pamundur ta shikosh filmin dhe të mos ndiesh nostalgji për katër filmat paraardhës (dhe si i tillë, do të gëzohet më së shumti nga ata të cilët i kanë shikuar të gjitha pjesët). Në një far mënyre ky film është një maqinë e udhëtimit nëpër kohë për mendjen tuaj. Kjo e vë Terminator: Genisys në disavantazh të padrejtë ngaqë duhet të garojë për vëmendje sikur fëmiju më i vogël i familjes që përballet me lavdinë dhe madhështinë e vëllezërve e motrave të tija.

Duke u rritur në Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta, filmi im më i pëlqyer ishte Terminator 2: Dita e Gjykimit. Dhe ndërsa shikoja këtë Terminatorin më të ri, nga gjithë ato skena që u referoheshin filmave të mëparshëm, e kisha të pamundur ta ndaloja mendjen nga kthimi mbrapa në kohë. Por edhe më shumë se kaq, e gjeta veten duke i kujtuar verërat e nxehta kosovare të femijërisë sime të kaluar duke shikuar filma aksion në kaseta VHS.

Mbaj mend vapën përvëluese të mesditës në Prizrenin e viteve të ‘90-ta. Uji i spërkatur në mëngjes përpara portës së ndonjë shtëpie, tani duke u avulluar në mirazhe vallëzuese në largësi. Retë e pluhurit, të verdha dhe kafe, duke u shfaqur mbi livadhet pa bar mes kullave të Bazhdaranës. Nënat duke i thirrur fëmijët për tu kthyer në shtëpi për tu fshehur nga dielli i fortë. Piskamat dhe bërtimat e fëmijëve të lagjes tani të ndërprera, sikur të ishin pas realizuar profecitë apokaliptike të Sarah Connor. Një veturë e bardhë dhe e kaltër me mbishkrimin “Milicija” lëviz me përtaci, sikur robotë që bredhin djerrinave post-apokaliptike në kërkim të njerëzve për t’i skallvëruar, dhe për një moment duke u ngadalësuar afër grafitit të kryqit Serb me katër C-ja, i cili më tej ishte shkaravitur kryengitshëm me vizatimin e katër këndëve shtesë për t’u dukur më shumë si një svastikë naziste. I barrikaduar në dhomën time si në një bunker, perdet e lëshuara për të krijuar një errësirë të padepërtueshme nga bota e jashtme. Kasetat VHS duke u sillur brenda videos pavarësisht kokëdhimbjeve të mia të shkaktuara nga shikimi i njëpasnjëshëm i tashmë tri filmave. Shkëlqimi i tubit të katodës së ekranit televiziv i vetmi ndriçim që m’i digjte sytë.

Gjatë asaj kohe, fushata kosovare e mosbindjes civile dhe rezistencës paqësore ngadale kishte filluar të shndërrohej në një djerrinë të pashpresë stagnimi. Dhe një film aksion si Terminator 2-shi ishte një lloji stimulimi i nevojshëm për të më ndihmuar në kuptimin e botës rreth meje. Unë me lehtësi mund të identifikohesha me fabulën: rezistencë për një të ardhme më të mirë, të lirë nga zgjedha e robotëve – dhe mekanizmat e shtetit, policisë dhe ushtrisë Serbe ishin pikërisht të tilla: maqina të ftohta robotike e racionale të vendosuara për shfarrosje dhe spastrim etnik. Madje edhe nëntitulli i filmit, Dita e Gjykimit, rrezatonte një atmosferë apokaliptike, jo të një holokasusti të pashmangshëm bërthamorë sikur në skenar, por të një asgjësimi të sigurtë, meqenëse pasi Serbia do t’i përfundonte luftërat e saja në Kroaci dhe Bosnjë, Kosova sigurisht që do të ishte ardhshmja në listë.

Asnjë film tjetër gjatë të ’90-ve nuk kishte arritur t’ma ngjallte më shumë imagjinatën sesa Terminator 2: Dita e Gjykimit. Kjo ishte për shumë arsye. Unë fuqimisht identifikohesha me personazhin e John Connor-it të ri (e kishim moshën e njëjtë). Arnold Schwarzengger në rolin e robotit T-800 shërbeu si një zëvëndësues i figurës atërore dhe muskujt e tij si një simbol ri-burrërimi, kështu duke përforcuar ndjenjën e sigurisë në një djalë 10 vjeçar, në një kohë të jostabilitetit dhe josigurise së madhe politike. Ngaqë asokohe Serbia e kishte kthyer Kosovën në një shtet të okupuar policor, unë nuk e kisha problem ta shihja të ligun e filmit, robotin formëndryshues T-1000 me uniformë polici, si armik.

Më shumë se dy dekada pasi e kisha shikuar për herë të parë Terminator 2-shin, data e kijametit erdhi dhe shkoi, dhe tani Kosova është shtet i pavarur. Shteti është gati duke iu afruar moshës së njëjtë që unë kisha kur e kam shikuar filmin për herë të parë.

Veç duke shikuar reklamën përplotë spojllera mund të kuptoni shumë nga pikat kryesore të Terminator: Genisys. Sikur në filmat tjerë, Skynet, inteligjenca artificiale që e shkatërroi tokën, dërgon një robot humanoid mbrapa në kohë për ta vrarë Sarah Connor përpara se ajo ta lindë djalin e saj, i cili është i destinuar për t’u bërë udhëheqës i rezistencës njerëzore. Për ta shmangur këtë, njerëzit dërgojnë një ushtar mbrapa në kohë për ta mbrojtur atë. Por kur Kyle Reese mbërrin, në vend që ta gjejë një Sarah Connor të druajtur dhe të dobët, ai e gjen një Khaleesi të patrembur e të thekur nëpër beteja, të shoqëruar nga Arnoldi i plakur e disi atëror në shërbim si truproja i saj robot. E kuptojmë që shpresa e fundit e njerëzimit është korruptuar nga ajo çka reklama sygjeron të jetë një tufë nano-robotësh. John Connor tani është i ligu kryesor i filmit dhe shpëtimi i botës tani varet nga Arnoldi, Khaleesi, dhe Reese-i.

Pavarësisht pikëve të ulëta nga kritikët, Terminator: Genisys është një film mbi shumë gjëra, disi të gjitha të rëndësishme për publikun kosovar: nostalgjia, kujtesa, shpresa, lufta për një të ardhme më të mirë, e vjetra përballë të së resë, determinizmi në formë të ecjes shtigjeve të njëjta e të vjetra kundrejt fuqisë së vetëdashjes për t’i ndryshuar gjërat, degjenerimi i vizioneve të mëhershme, të ardhmet e dështuara, dhe fillimet e reja. Sikur të gjithë filmat tjerë që kanë për tematikë udhëtimin në kohë, edhe ky version i Terminatorit është gjithashtu një ushtrim në “çka-nëse.” Është e parezistueshme të mos mendosh për të githa “çka-nëse-t” lidhur me ku do të mund të ishte Kosova nëse gjërat do të kishin ndodhur ndryshe.

Por frikësohem se Kosova mund ta ketë vuajtur fatin e njejtë sikur franshiza e filmave të Terminator-it. Sikur që John Connor i T2-shit ishte luftëtar i lirisë, tani i transformuar në të ligun e Genisys-it, gjithashtu disa nga ish-shpresat më të mëdha të Kosovës – më të mirët e më të zgjuarit e vendit – tani janë shndërruar në politikanë të korruptuar. A ishte një fat i tillë i paracaktuar, apo Kosova e zgjodhi një nga shtighet e gabuara nga gjithë ato të ardhme të mundshme, për të prodhuar një simbiozë ku e mira jeton krahpërkrah të keqes? Me siguri është kjo përzierje e heroizmave të mëparshme dhe korrupsonit të tanishëm që bashkëjetojnë përbrenda personazheve të njejtë (të cilët në mënyrë spektakolare vazhdojnë të ri-zgjedhen me sukses nëpër postet e tyre) që e rrezikojnë më së shumti demokracinë e re dhe të brishtë të Kosovës.

Ndoshta akoma nuk iu kemi shmangur Kijametit. Dështimet në sundimin e ligjit, korrupsioni endemik, izolimi dhe geto-zimi nga Evropa, ekononima e tendosur dhe varfëria gjithpërfshirëse, nuk janë shenja paralajmëruese të një apokalipsi në ardhje e sipër, por shenja të një shoqërie post-apokaliptike.

Por a nuk ishte vetë rezistenca njerëzore (në filmat e Terminator-it) ajo që krijoi kushtet për vetë rrëmujën në të cilën e gjeti veten? Nëse ata nuk do ta kishin dërguar dikë në të kaluarën për ta shpëtuar John Connor-in, ndoshta ai nuk do të kishte jetuar dhe mbijetuar për t’u transformuar në këtë personazh të ligë. E njëjta mund të thuhet edhe për politikanët e korruptuar të Kosovës: nëse njerezit nuk do të kishin votuar për ‘ta, atëhere ndoshta ata nuk do të shndërroheshin në përbindëshat e ligë që ne sot i konsiderojmë të jenë. E ardhmja është rezultat i zgjedhjeve që ne i bëjmë si individë.

Ose ndoshta gabohem. Dhe, lufta e Kosovës nuk ishte Kijameti i vërtetë. Dhe, ka ende bollëk të profecive të papërmbushura. Dita e Gjykimit ka akoma për të ardhë. Dhe ende ka shpresë që edhe Kosova, e edhe franshiza e Terminatorit, të falen, përdëllehen, dhe t’i shlyejn gjynahet.

Gjatë fëmijërisë sime gjatë viteve të ‘90-ta, pjesërisht duke iu kundërpërgjigjur imazheve që shihja në lajme, dhe pjesërisht duke i riluajtur skenat që i i shihja nëpër filma aksion si Terminator 2-shi, vazhdimisht i rekrutoja shokët e lagjes për këto lojëra. Duke i inskenuar fantazitë e mia, filloja t’i bashkoja këto të dy realitete; njëri duke qenë përplot eksplodime dhe plumba gumëzhues nga pushkët e Terminatorit, ndërsa tjetri i bazuar në botën e vërtetë të njollosur nga situata politike në Kosovë (dhe luftërat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë). Filmat aksion sikur Terminator 2-shi ishin aty të më ndihmonin për ta kuptuar botën përreth meje.

Por çfarë mund të më hyjë në punë në këtë moshë Terminator: Genisys? Çfarë mësime mund të më mësojë një film i tillë? Mbase qëllimi i tij është t’ma shkundi kujtesën dhe të veprojë si një maqinë e udhëtimit nëpër kohë e të më shtyej ta vizitoj të kaluarën. Dhe nuk po flas këtu për rishkrime apo mohime të historisë për ta ndryshuar të ardhmen. Kemi pasur mjaftë sosh që nga shekulli i tetëmbëdhjetë; secili komb duke shkruar narrativat e tyre romantike.

Po flas për përballjen dhe ballafaqimin e vërtetë me të kaluarën tonë. Ta shohim sa larg kemi ardhë dhe sa ndryshon ky shteg nga vizioni origjinal. Një rivlerësim, përpara fillimit të korrigjimeve të nevojshme në trajektore. Duke shikuar mbrapa kah e kaluara, për ta parashikuar dhe mundësisht përmirësuar të ardhmen. Ndoshta ky është mësimi më i madh nga filmi më i ri i Terminatorit: vetë-reflektimi.


Ky shkrim është shkruar fillimisht në anglisht për Kosovo 2.0 | Përkthimi parësorë në shqip nga Kosovo 2.0 | Ky verzion përmban korrigjimet e autorit.

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>