Vila e Filanit

1280px-Ancient_Roman_Mosaics_Villa_Romana_La_Olmeda_000_Pedrosa_De_La_Vega_-_Saldaña_(Palencia)

Vila e Filanit

Nga Artrit Bytyçi

 

I dashuri shoku im Lucius,

Jashtëzakonisht më ka pëlqyer letra jote e fundit dërguar nga vila e Scipio Afrikanus-it. Nëse do të ishte ndokush tjetër të më thoshte se “Tmerri i Kartagjenës” kishte refuzuar të jetojë në luks, që me të drejtë i takon çdo mbrojtësi të Romës, në favor të një jete të thjeshtë, nuk do t’ju besoja. Edhepse letra jote ishte e këndshme dhe zbavitëse, do të gënjeja sikur të pranoja se plotësisht pajtohem me zgjedhjen e Scipio-s për mënyrën e thjeshtë të jetesës.

Fati vërtetë është një hyjneshë tekanjoze t’i ujdisi ngjarjet përtej çdo rastësie dhe në atë mënyrë që unë të jemë duke i shkruar këto rreshta nga vila e njërit nga politikanët më me emër të vendit tim, Filan Fistekut. Me gëzime të njoftoj se miku im Filani është shkëlqyeshëm përnga shëndeti – në fakt, kurrë më parë nuk e kisha parë të ishte aq mirë, sikur vetë Dionisi ta kishte bekuar barkun e tij bregorë për të shërbyer si dëshmi e jetës së mirë të përplotë me mishëra dhe verëra të shijshme. Sidoqoftë, atij iu desh të kërkonte falje ngaqë nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm në banesën e tij verore që personalisht të më nderonte sipas riteve të shenjta të mikpritjes siq e kërkojnë rregullat dhe zakonet tona. Natyrisht se ai shfajësohet me të drejtë ngaqë i duhej të mirrej me punë sa të rëndësishme aq edhe të nderuara – formimin e qeverisë së re. Zgjedhjet në Republikën tonë të Re sapo kanë përfunduar dhe populli përsëri ja ka dhënë besimin për t’i përfaqësuar interesat e tyre si një prej shumë ligjvënësve.
Është e pamundur të parashikohet rezultati i këtyre disa ditëve të ardhshme në Kuvend, dhe prandaj kam vendosur t’i rri larg të gjitha lajmeve të tilla deri në përfundimin e krejt vendimeve, në mënyrë që të mos ja prishi vetes pushimin; ligështitë e mia të shumta (shëndetësore) vetëm që përkeqësohen kurdo që flitet për qeverisje e shtet. Si rrjedhim kam vendosur të izolohem në padituri për një periudhë të papërcaktuar dhe të kënaqem në qetësinë e rehatinë që ofron vila e Filanit.

Kuptueshëm, para së gjithash, madje edhe para shkrimit të kësaj letre, kam nderuar shpirtërat e shumë heronjëve dhe dëshmorëve që dhanë jetët e tyre për liri – memoriali i të cilëve gjendet përbrenda mureve të vilës, rrethuar nga hijet çlodhëse të pishave të larta. Në mos për sakrificat heroike të këtyre trimave do të ishte e pamundur të gëzohen liritë dhe bollëku me të cilat jemi mësuar të jetojmë këtyre viteve të fundita.

Si të mos e çmoj një shpirt sikur ai i Filanit, i cili për të nderuar vëllezërit e tij të luftës, në pronën e tij me duart e veta ndërtoi një memorial që lirisht mund të garojë me altarët më madhështorë? Trupin gjigand të lapidarit është i ndërtuar nga mermeri i zi dhe me shkronja të arta janë të shkruar emrat e të rinjëve që ranë duke luftuar për idealet e lirisë, barazisë dhe demokracisë. Vetëm të kujtuarit se shoku im Filanim ka pas luftuar përkrah tyre, ka ndarë me ta bukën, ujin, dhe githëçfar mundimesh të luftës, ma mbush zemrën me admirim dhe, nëse më lejohet të them, nderim për Filanin. Si të mos e çmoj personin të cilit përkundër të gjitha gjasave i ka buzëqeshur Fati duke i dhuruar jetë në një kohë kur shumica, nëse jo të gjithë, e shokëve të tij kanë rënë në fushëbetejë?

Por të lutem mos më keqkupto, i dashuri shok Lucius – ngaqë mbijetesa edhe nuk para është ndonjë arritje e madhe, siq mund të ilustrohet lehtësisht nga shembulli im modest, pasiqë unë nuk është se kam bërë ndonjë vepër të madhe, dhe prapseprap ia kam dalur të mbijetoj. Admirimi im për Filanin buron nga një cilësi tjetër – atë se çfar tjetri bën me jetën pasi që Fati ja dhuron një shanc të dytë. Dhe për Filanin vendimi kritik ishte kur në mbledhjen e parë të Kuvendit deklaroi: “Isha aty kur vendit tonë iu deshëm më së shumti. Liria që kemi sjellur është vetëm fillimi. Prindërit nuk i braktisin fëmijët e tyre sapo të lindin. Nuk është vetëm detyrë e imja, por e çdonerit këtu, të vazhdojmë në kontributet tona derisa shteti ynë i porsalindur të forcohet dhe të pavarësohet plotësisht, njëlloj si një fëmijë që rritet për tu nisur për rrugë të vete.”

Dhe kështu, në vend se të largohej në ndonjë fshat të largët për t’i shijuar frytet e mundit të tij, Filani zgjodhi të ngarkohet me akoma më shumë përgjegjësi për dobi të shtetit foshnjorë. Asokohe, gjendja ishte e atillë që republika e re mezi zvarritej, e të mos flasim për ecje. Prandaj, të qëndruarit në shërbim të shtetit nuk ishte hiq më pak e rëndësishme për Filanin sesa çlirimi që i kishte bërë atij nga zinxhirët robërorë të ish pushtuesve.

Kam qëndruar këtu aq gjatë si mysafir saqë po t’i mbylli sytë besoj se do të mund të bredhi nga njëri kënd i vilës në tjetrin pa u humbur. Natyrisht, mund të endem verbërisht vetëm deri sa t’i arrij muret e larta të gurit që e rrethojnë tërë pronën, të cilët në çdo nga cepat e veta kanë nga një kullë që i ngjanë fortifikatave me njerëz të armatosur mbi to, sikur ato që i mbrojnë kështjellat nga pushtuesit. Duhet të pranoj se nuk kam gjetur ndonjë arsye që të kaloj përtej mureve të larta, madje as për të shkuar tek arat jugore që i përkasin vilës, ngaqë çdo here që tentoj të shkeli përtej kufinjëve, më kaplon një ndenjë tmerri e trishtimi që vjen kur tjetri përballet me varfëri dhe mjerim. (Shpresoj se nuk ma zë për të madhe që preferoj të kaloj kohën duke pushuar në luks, sesa të mundohem të përshkruaj skamjen, e cila në vetëvete nuk ka asgjë të veçantë dhe është po e njejta sikur në çdo cep tjetër të vendit.)
Dhe kush do të duronte ditëve tona të kalonte kohë në një vilë pa pishinë? Kam provuar pijet e freskëta anës ujit ndërsa një fllad ma freskonte lëkurën gati ngjyrë-gaforre nga të rreziturit. Vetë pijet, e të mos përmendi shoqërinë e pasardhëseve të vetë nimfave që gjatë ditës pushojnë buzë ujit e që natës vallëzojnë, do të mjaftonin për a lëkundur Scipio-n nga vetëpërmbajtja e tij.

Edhe unë jam magjepsur nga këto joshje të parrezistueshme, për të cilat pranoj të jemë fajtorë; ngaqë ndryshe do të ishte e pamundur, veç nëse do lidhesha me zinxhirë për ndonjë nga shtyllat e shumta të stileve të ndryshme, synimi i vetëm i të cilave dukej të ishte zbukurues. “Çlirimtarin e republikës së porsalindur” tjerët do të mund ta konsideronin si harbut të pagdhendur, barbarë artistik, dhe përkrahës të zbukurimeve të tejskajshme e të pa shije, pasi që lejoi ndërthurrje aq mospërputhëse në stilet e ndërtimit të vilës së tij. Por unë personalisht e duartrokas këtë vizion të Filanit, ngaqë e konsideroj atë si një kompromis të nevojshëm për të theksuar fuqinë, prestigjin dhe luksin.

Nëse je i interesuar t’i ikësh etjeve të sipërpërmendura, një kalim kohe mund të gjedh edhe tek arat jugore dhe fushat që shtrihen përtej mureve të Vilës. Por këto toka nuk janë të punuara sepse, siq më tregon Filani, një gjë e tillë nuk është e nevojshme përderisa në ditët e sotme përmes mrekullisë së tregtisë me shtetet fqinje është e mundur të sigurohen fruta dy herë më të mëdhenj e më të ëmbël për gjysmën e çmimit.

Mund të ankohesh për faktin se gjithë kjo tokë krejtësisht pjellore çohet dëm nga mos-puna, por unë mendoj ndryshe. Katragjyshërit e Filanit nuk i kishin thyer shpinat me vuajtje bujqësore për t’ja mundësuar një shancë për jetë më të mirë pasardhësve të tyre, që pastaj Filani të shkapërderdhi shancin e dhuruar nga Fati, duke u kthyer tek po të njejtat mundime si të parardhësve të tij. Në vend të kësaj, Filani ishte i mençur të kuptonte se do të mund të përfitonte nga pozita e favorshme e postit të tij duke i shpërblyer me kontrata të shtetit shokët e tij afaristë. Nuk do të ishte vetëm një gjë plotësisht e marrë por gjithashtu jo-logjike, nëse ai nuk do të përfitonte nga të mirat dhe bollëku që ia dhuroi pushteti.

Dashakeqët mund ta shajnë së është hajn ose uzurpues, por harrojnë vargjet e Homerit dhe sesi ai i përshkruan heronjtëe lashtësisë. Çfar ishte mëria e Akilit në mos grindje me Agamemnonin për plaçkat e luftës? Rregullat e njëjta akoma vlejnë për fitimtarët, të cilët në ditët tona i kanë maskuar plaçkitjet dhe grabitjet nën petkun e praktikave civilizuese më të pranueshme siq janë ushtrimi i ndikimit dhe kapitalit politik. Shpresoj se do të pajtohesh se zëvendësimi i të mirave materiale me valutën e fuqisë pushtetare, i bie që të jetë më fitimprues.

Natyrisht kritikët mund ta quajn si të pamoralshme mbajtjen e këti lloj pushteti. Por, shteti ynë i porsalindur ishte kalitur nën domosdoshmërinë e mbijetesës, kështuqë, do të ishte e pamoralshme të fajësohet tjetri për veprime që rrjedhin nga motivimet me prejardhje në nevojën për të mbijetuar. Dhe, a nuk e kemi provuar që të gjithë, ne qytetarët krenarë të shtetit tonë të porsalindur, varfërinë, paqëndrueshmërinë ekonomike, e madje edhe pamundësinë për të parashikuar një të ardhme të ndritur përtej fundit të javës. Tani, më trego, cili person që ka qenë i dobët gjatë fëmirisë do të donte të kthehej prapa dhe t’i jetonte për së dyti mundimet dhe vuajtjet e tija?
I dashuri shoku im Lucius, nëse krejt kjo që po të them të duket shumë e zymtë, atëhre veja fajin vilës së Filanit, ku nga një shërbëtorë i tij kam mësuar se mu ato pishat e larta përreth memorialit që i përmenda më herët, nuk qëndronin gjithmonë aq krenare në gjatësinë e tyre. Ai më tregon për kohën kur ato ishin veçse fidane të holla të sapombjellura, dhe se si kanë kaluar vite të tëra para se ato të mund të qëndronin palëkundur, por jo përpara se një numër i madh i tyre të rrëzohej nga erërat e forta dimërore. Ne të dytë, Lucius, duhet ta dimë këtë, ngaqë nuk ka bir Bote që nuk jeton sipas rregullave të njejta sikur drunjët e kopshtit të Filanit.

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>