Të Shkruash është Lehtë

stevemartinTë Shkruash është Lehtë!

Humor nga Steve Martin

Përkthyer nga Artrit Bytyçi

 

Nga të gjitha artet, shkrimi është mënyra më e lehtë, pakokëdhimbje, dhe e lumtur për të kaluar kohën. Ndërsa shkruaj këtë, për shembull, jam i ulur rehatshëm në kopshtin tim të trandafilave, duke shtypur në kompjuterin tim. Çdo trëndafil paraqet një tregim, kështuqë asnjëherë nuk jam në mëdyshje se çfar të shkruaj. Krejt çfar më duhet është të shikoj thellë në zemërën e trëndafilit, t’ja lexoj tregimin, dhe ta mbaj shenim. Mund të isha duke shruar kjfiu joew.mv jiw dhe t’i kënaqem një gjëje të tillë sikur të isha duke shkruar fjalë që në fakt kanë ndonjë kuptim, sepse thjeshtë më pëlqen si më lëvizin gishtat nëpër tastierë.

 

Është e vërtetë se ndonjëherë vuajtja dhe mjerimi e vizitojnë mendjen e shkrimtarit. Në ato momente, unë ndërpres shkrimin dhe çlodhem me një kafe në restoranin tim të preferuar, gjithmonë duke qenë i vetëdijshëm se fjalët gjithmonë mund të ndryshohen, të ri-mendohen, të vërtiten, dhe përfundimisht të mohohen. Piktorët nuk e kanë këtë fat. Nëse ata shkojnë në një kafene, ngjyrat i thahen në një rrëmujë të ngurtë.

 

VENDI, VENDI, VENDI

 

Do t’ja u këshilloja të gjithë shkrimtarëve të jetojnë në Kaliforni, sepse këtu, ndërmjet këtyre momenteve kur tjetri është duke shikur mu në zemër të trëndafilit, ai mund të shikojë lartë qiellin qetësues blu. Më vjen keq për shkrimtarët – dhe ka shumë të famshëm nga ata – që jetojnë në vende si Amerika Latine dhe Çekosllovakia, ku besoj të bëhet goxha lagësht. Këta shkrimtarë dallohen lehtësisht. Librat e tyre janë të mbushura me sëmundje dhe negativitet. Nëse dëshiron të shkruash mbi ndonjë sëmundje, do të thoja se Kalifornia është vendi i duhur për ta bër një gjë të tillë. Xhuxhizmi asnjëherë s’është gjë zbavitëse, por shiko se çfar ndodhë kur me të mirresh në Kaliforni. Shtatë shkurtabiqë të lumtur. A do të mund të imagjinoje shtatë shkurtabiqë në Çekosllovaki? Në rastin më të mirë do të dilnin shtatë shkurtabiqë melankolikë – shtatë shkurtabiqë melankolikë pa asnjë vend parkingu për persona me aftësi të kufizuara.

DASHURIA NË KOHËN E KOLERËS: PSE ËSHTË TITULL I KEQ

 

E pranoj se “Dashuria në kohën e…” është titull i shkëlqyer, por deri në një pikë. Jeni duke lexuar, jeni të lumtur, është mbi dashurinë. Më pëlqen se si fjala “kohë” krijon një ndjenjë të mirë. Dhe papritur shfaqet një fjalë e frikshme si “Kolera”. Isha i lumtur deri atëherë. Pse jo “Dashuria në Kohën e Mëllenjave të Kaltërta”? “Dashuria në Kohën e plagëve që rrjedhin dhe puçrrave që pikojnë qelb” ishte mesiguri titulli i hershëm të cilin autori e kishte përdorur ndërsa shkruante më maqinën e vjetër të shkrimit Smith Corona, në shtëpinë e stërmbushur me minjë. Ky shkrimtarë, kushdo që është, do të përfitonte nga dielli i Paqësorit për disa javë.

NJË EKSPERIMENT I VOGËL

 

Morra paragrafin në vijim, i cili padyshim se është shkruar në ndonjë vend të mërzitshëm, dhe tentova a rishkruaj nën ndikimin diellorë të Kalifornisë:

 

Shumica e njerëzve e gënjejnë veten me dy lloje besimesh: ata besojnë në kujtesë të përjetshme (të njerëzve, gjësendeve, veprave, kombeve) dhe në korrigjueshmëri (të veprave, gabimeve, mëkateve, padrejtësive). Që të dy besimet janë të rreme. Në të vërtetë, e kundërta është e vërtetë: gjithçka do të harrohet dhe asgjë nuk do të korrigjohet.

– Milan Kundera

 

Duke ndejtur në kopshtin tim, duke shikuar bletët ndërsa rrëshqasin prej lules në lule, e filtroj paragrafin e mësipërm nëpër mendjen time. Ky është paragrafi i ri që doli në pah:

 

Ndihem e bukur,

Oh sa e bukur,

Ndihem e bukur, dhe e zgjuar e gazmore.

 

Thjeshtë, Kundera ishte fjalëshumë. Nganjëherë miku juaj më i mirë është tastiera “delete” për fshierje.

 

BLLOKIMI I SHKRIMTARIT: NJË MIT

 

Bllokimi i shkrimtarit është një shprehje e zbukuruar, e shpikur nga ata që përherë ankohen, në mënyrë që të kenë një justifikim për të pirë alkohol. Vërtetë, shkrimtarët megjithment mund të bllokohen për një periudhë, por kur kjo i ndodhë një autori të vërtetë – të themi, një Sokrati, apo një (Denis) Rodmani – ai nuk rri duarkryq, por shkon dhe e përpilon një libër “sikurse treguar nga X-i”. Një alternativë tjetër është të punësoheni si një shkrimtar që shkruan tregime “sikurse dëgjuar nga X-i”, dhe kështu të merrni të gjitha nderimet për mundin.

 

Jam i lumtur ta ndaj me ju një truk tjetër që pothuajse gjithmonë funksionon, të cilin e përdori kur ballafaqohem me ndalesa të përkohshme. Hapni një roman të botuar dhe gjeni një fjali të cilën e adhuroni absolutisht. Kopjojeni në dorëshkrimin tuaj. Zakonisht, ajo fjali do t’ju udhëzojë të shkruani një fjali tjetër, dhe së shpejti idetë e juaja do të fillojnë të rrjedhin. Në të kundërt, kopjoni fjalinë e rradhës nga romani. Pa rrezik mund të përdorni deri në tri fjali nga vepra e dikujt tjetër – veç në jeni shokë, atëherë vetëm dy (fjali). Shanset që të zbuloheni janë shumë të vogla. Edhe në rast se zbuloheni, zakonisht nuk do të përfundoni në burg.

 

NJË DEMONSTRIM SHKRIMI

 

Është lehtë të flitet për shkrim, e madje edhe më lehtë të shkruhet. Shikoni:

 

Më quaj Ishmael. Ishte ftohtë, shumë ftohtë këtu në qytetin malorë të Kilimanxhoraville. ® Dëgjoja një këmbanë. Ajo këmbonte.* Dhe, e dija me saktësi se për kë këmbonte. © Këmbonte për mua, Ishmael Twist-in. © [Shënim i autorit: Tani kam ngecur. I afrohem një trëndafili dhe shikoj brenda zemrës së tij.] Po, po, më dëgjuat mirë, Ishmael Twist. ©

*Kjo fjali është shkruar nga Steve Martin sikurse dëgjuar nga Cindy Adams

 

Kjo është një shembull i asaj çfar unë e quaj “shkrim i pastër”, që ndodhë kur nuk ka gjasa që ai të bëhet skenar. Shkrimi i pastër është më shpërblyes nga të gjithë tjerët, sepse vazhdimisht përcillet nga zëri që përsëritë: “Pse jam duke u lodhur për ta shkruar këtë?” Pastaj, dhe vetëm pastaj, një shkrimtar mund të shpresojë në krye-arritjen e tij: zërin e lexuesit që shqipëton komplimentin e vet: “Pse jam duke u lodhur për ta lexuar këtë?”

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>