Vila e Scipio-s

Poussinscipio
“Vetëpërmbajtja e Scipio-s” nga Nicolas Poussin

Vila e Scipio-s

nga Lucius Annaeus Seneca

përkthyer nga Anglishtja nga Artrit Bytyçi

 

Po të shkruaj nga vetë vila e Scipio Africanus-it. Sapo i kam mbaruar nderimet ndaj shpirtit të heroit dhe ndaj altarit që besoj të jetë varri i tij. Jam i bindur se shpirti i tij është kthyer në qiell nga kishte ardhur, jo sepse komandoi ushtri të mëdha (Cambyses-i i çmëndur gjithashtu kishte ushtri dhe e përdori mirë çmendinë e tij) por për shkak të vetëpërmbajtjes dhe përkushtimit ndaj detyrës së tij. Mendoj se këto tipare u shquan më së shumti kur ai u largua nga vendlindja e tij sesa kur ai e mbronte atë, ngaqë do të ishte e pamundur që ai të vazhdonte në Romë dhe Roma të vazhdonte e lirë. “Nuk dëshiroj të shkeli kushtetutën dhe ligjet tona,” tha ai “Le të kenë të gjithë qytetarët të drejta të barabarta. O shteti im, gëzoi shërbimet që ti kam dhuruar, por pa praninë time. Unë kam qenë shkaku i lirisë sate, dhe tani do të jemë dëshmia e saj. Unë largohem në mërgim, ngase jam rritur shumë, përtej të qënit i dobijshëm për ty.”

 

Si të mos e çmosh shpirtin e lartë që e tërhoqi atë në mërgim të vullnetshëm dhe kështu ja lehtësoi barrën shtetit? Gjendja ishte e atillë ku ose liria do ta lëndonte Scipio-n ose Scipio do ta lëndonte lirinë, dhe asnjëra nuk ishte e pranueshme. Kështu që ai ja lëshoi rrugën ligjeve dhe u largua për në Liternum, me arsyetim se duke mërguar ai i shërbente shtetit njëlloj si kur e kishte dëbuar Hannibal-in*.

 

Kam shikuar vilën e ndërtuar nga tullat katrore, me murë që mbështjellë zabelin, me kulla në të dyja anët për ta mbrojtur shtëpinë, me pus të fshehur ndër ndërtesa dhe shkurre, i mjaftueshëm për t’ja shuar etjen një ushtrie të tërë; dhe një banjë e ngushtë, mjaft e errët, sipas stilit të vjetër (paraardhësit tanë besonin se banja e nxehtë duhet të ishte e errët). Krahasimi i zakoneve të Scipio-s me ato tonat më ka dhënë kënaqësi të madhe. Në këtë “qymez” të ngushtë “tmerri i Kartagjenës” (të cilit Roma ja ka borxh falenderimet për parandalimin dhe mospërsëritjen e pushtimeve, djegëjeve dhe grabitjeve sikur ato nga Galët) lante trupin e tij të lodhur nga puna në fushë; ngaqë ishte gjë e zakonshme për ‘te të punonte dhe vetë t’i lëvronte arat e tija, sipas adeteve të vjetra. Është mu ky tavan i zymtë nën të cilin ai qëndronte, mu kjo dysheme e zakonshme që mbante peshën e tij.

 

Kush do të duronte larje të tillë në ditët tona? Tani e kujtojmë tjetrin si të varfër e shkatarraq nëse muret e tija nuk nuk janë të vizllueshme me pasqyra të gjëra e të shtrenjta, nëse mermeri i tij nga Aleksandria nuk është i zbukuruar me pllaka nga Numidia, nëse skajet nuk janë të punuara rreth e përqark me figura e ilustrime të ndryshme, nëse nuk ka dhomë të rrethuar në xham, nëse nuk ka mermer Thasian (njëherë e një kohë pamje e rrallë e ndonjë tempulli rastësorë) të vijëzojë pishinat nëpër të cilat ne ulim trupat tanë kur ato janë ligur nga djersët e rënda, nëse rubinetet për derdhjen e ujit nuk janë nga argjendi. Deri tani isha duke folur për krijime të zakonshme; çfar do të them kur t’i vije rradha banjove për qytetarë të lirë? Gjithë ato statuja, gjithë ato shtylla që nuk shërbejnë për asgjë por janë mbjellur si zbukurime të tepruara! Gjithë ai ujë që përplaset në vargje prej shkallës në shkallë si ujëvarë! Jemi bërë me shije aq të hollë saqë të ecim vetëm nëpër gurë të çmuar.

 

Në këtë banjën e Scipio-s nuk ka dritare por vetëm çarje në murë për të lejuar dritën pa e dobësuar ndërtesën. Në ditët tona i quajm çerdhe insektesh në mos banjat janë planifikuar për tu diellosur gjatë tërë ditës përmes dritareve të gjëra, në mos kenë mundësi që njëherësh të lahesh e rrezitesh, në mos kenë pamje të natyrës dhe detit nga vaskat e tyre. Kështu kjo punë; banjat që kur ishin hapur në fillim tërhiqnin turmat plot admirim, tani shmangen dhe shpallen të vjetëruara sapo që luksi të ketë shpikur ndonjë të re me të cilën ta shthurr veten. Dikur banjat ishin të pakëta dhe nuk kishin stoli elegante. Pse të stoliset vendi i përcaktuar për shfrytëzim e jo kënaqësi, ku hyrja kushton një qindarkë? Aso kohë nuk kishte dushe, e as rrjedhë të vazhdueshme sikur nga një burim i ngrohtë, dhe nuk mendonin se ishte me rëndësi se sa i kthjellët ishte uji në të cilin tjerët do të linin ndyrësinë.

 

O Zot, çfar kënaqësie të shkelësh në atë banjë të errët, të mbuluar me çati të thjeshtë, duke ditur se Cato në postin e aedil-it**, ose Fabius Maxsimus-i, ose njëri nga Corneli-të e kanë ngrohur ujin me duart e veta! Madje edhe aedil-ët më fisnikë, si pjesë e detyrimeve të tyre, hynin vendeve që i shërbenin popullsisë dhe këmbëngulnin në pastërti dhe temperaturë të vakët dhe të shëndetshme, e jo në nxehtësi flakëruese siq bëhet sot – aq të ngrohtë sa për të dënuar një skllav për kundërvajtje duke e detyruar të lahet për së gjalli! Më duket se tani nuk ka fare ndryshim nëse tjetri thotë “banja është kapluar nga flakët” ose “banja është e ngrohtë.”

 

Në ditët tona disa e dënojnë Scipio-n si harbut të pagdhendur ngaqë nuk lejonte që rrezet e dritës të depërtonin përmes dritareve të mëdha në djersëtore, ose ngaqë nuk piqej në diell të fortë dhe nuk ziej në ujë të nxehtë! “Ah i shkreti,” thonë “Nuk dinte si të jetonte. Lahej në ujë të pafiltruar, që shpesh ishte i turbullt, dhe pas reshjeve të rënda gati-gati baltak.” Por kjo nuk kishte shumë rëndësi për Scipio-n; ai vinte të lante djersët, e jo parfumin. Dhe si mendon se tjerët do t’më përgjigjen? Do të thonë: “Nuk ja kam zilinë Scipio-s; të duronte larje në mënyrë të tillë do të thotë që vertetë jetonte jetën e mërgimtarit.” Nëse bash do ta dish, ai nuk lahej çdo ditë. Shkrimtarët që kanë shënuar adetet e vjetra të Romakëve tregojnë se ata i lanin krahët dhe këmbët për çdo ditë – këto natyrisht i ndynin gjatë punës – dhe  një herë në javë e lanin tërë trupin. “Duket se ishin goxha të pistë,” dikush do të thoshte. “A thua se çfar ere i vinte?” Erë ushtrie dhe tendosjeje dhe burrërie. Tani që banjat janë të zbukuruara, njerëzit janë edhe më të ndyrë. Çfar thotë poeti ynë Horaci kur vendosë ta përshkruaj ndonjë horr famëkeq për pispillosje? “Bucillus-it i vie erë parfumi”. Ma trego një Bucillus sot: era e tij do të dukej si e dhisë, sikur ajo e Gargonius-it me të cilin Horaci e vë në kontrast në po të njejtin varg. Ngaqë sot nuk është mjaft të përdorësh parfum në mos e vë dy a tri herë në ditë, për ta parandaluar të avullojë nga trupi. Por përse do të duhej që tjetri të mburret me atë aromë sikur të ishte e vetja?

 

Nëse krejt kjo që po të them të duket shumë e zymtë, vëndose në llogari të shtëpisë së Scipio-s, ku nga Aegialus-i (i cili cili tani është pronarë i arës dhe një zot shtëpie mjaft kursimtar) kam mësuar se një dru mund të shpërngulet edhe nëse është mjaft i vjetër. Ne të vjetrit duhet ta dimë këtë, ngaqë ne të gjithë mbjellim ullishte që të tjerët t’i gëzojnë.

 


Shënime:

 

*Scipio Afrikanus kishte mbrojtur Romën nga pushtimi Kartagjenas duke e mundur Hannibal-in në vitin 202 p.e.s.
** aedilë – post i ngjashëm me atë të një ministri të punëve publike.

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>