Mes Dy Zyrash

Zyra e improvizuar e Artrit-it | Prishtinë, Kosovë | Dimër 2001-2002
Zyra e improvizuar e Artrit-it | Prishtinë, Kosovë | Dimër 2001-2002

Mes Dy Zyrash

Gjurmët e prejardhjes së nostalgjisë sime për maqina shkrimi shkojnë deri para nja trembëdhjetë vitesh në banesën time të vogël në Prishtinë. Asokohe isha duke shkruar “romanin” tim të dytë, ndërsa Kosova ishte akoma duke u rehabilituar nga simptomat e anarkisë së pas-luftës. Në atë moshë nuk do të mërzitesha shumë për politikë po të mos ishte për reduktimet e përhershme të rrymës që ma fiknin dhunshëm Pentium 3-shin duke më lënë në errësirë. Ngaqë reduktimet ishin të paparashikueshme, ato jo vetëm që ma humbnin tërë punën huq (edhepse të një cilësie të dyshimtë), por më parandalonin të shkruaja për nja katër orë të ardhshme. Kështu kisha filluar përdorimin e maqinës së shkrimit të Babit – një UNIS tbm De Luxe ngjyrë portokalli – për të shtypur draftin e parë nën dritën e qirinjëve gjatë atyre netëve të errëta dimërore.

Zyra e Artrit-it në Queens, New York | Qershor 2014
Zyra e Artrit-it në Queens, New York | Qershor 2014

Në zyrën time të tanishme në Queens, kam një maqinë shkrimi Olympia që e kam gjetur për $30 pothuajse pahiri në një dyqan ndërsa shëtisja rrugëve verën e kaluar. Është në gjendje funksionale, edhepse ndonjëherë bllokohet gjatë shkrimit, dhe gjithmonë frikësohem sikur do t’i lirohet ndonjë vidë që do ta shembte në prishje. Nuk kam shkruar shumë me të, por kjo nuk është me rëndësi. Maqina ka një qëllim tjetër. Ndonjëherë në fillim të proçesit të shkrimit, kur nuk ja kam idenë se çfar jam duke bërë, shtypi nja dy-tri faqe – jo për fjalë dhe mendime, por për tingujt që maqina prodhon kur shkronjat bien në fletë, që gjithmonë ma kujton kohën kur nuk njihja frikë krijuese, kisha ëndërra të mëdha, nuk druaja gabimet, dhe në vend të këtyre ndihesha si një fëmijë i zhytur e përqëndruar në lojë.

Sapo e arrij gjendjen shpirtërore të duhur dhe mendja ime është mbushur me kujtime dhe ndjenja, unë ndryshoj teknologji dhe i kthehem asaj të kalitur nga koha – shkrimit me stilograf. Jam adhurues i madh i stilografeve (për momentin jam duke përdorur Pelikan Celebry që mu është dhuruar për ditëlindje para ca vitesh) dhe më pëlqen ngjyra e kaltërt/blu për t’i hedhur idetë e mia në letër. Kjo gjithmonë më ngjanë më shumë në pikturim sesa shkrim. Këtë e bëja që nga koha kur shkruaja nën dritën e qirinjëve në Prishtinë, dhe akoma e bëj të njejtën gjë ndriçuar nga një lampë të lirë në Queens.

Preferoj të shkruaj në fletore të mëdha në mënyrë që të zvogëloj numrin e kthimit të faqeve për të parandaluar ndërprerjen e rrjedhës së mendimeve. Faqet duhet të jenë të pastra dhe pa vija (mbase nuk dua të ndihem i kufizuar nga vijat e ngushta të fletores, duke qenë se gjithmonë ndihesha pak klaustrofobik nga ideja se vijat e fletores disi i mbyllin mendimet e mia si në gardh). Pa vija për të më udhëzuar, lexueshmëria më pëson ndërsa shkrimi ngadale fillon të lakohet anash; kështu papritmas unë mund të ndërroj kahje, dhe të filloj shkrimin nga poshtë lartë, ose të vizatojë ndonjë skeç të skenës të cilën mundohem ta përshkruaj.

Gjithashtu në po këto fletore kam qejf të bej lista të projekteve në të cilat jam duke punuar për momentin. Gjithnjë duket se kam më shumë sesa që mund të gëlltis, dhe vetëm një e treta apo e katërta e tyre përmbushen ndonjëherë. Kjo më duket si puna e evolucionit, ose mbijetesa e më të fortëve – një lloj Darvinizmi i aplikuar ndaj ideve.

Edhepse në Prishitnë kisha zaptuar gjysmën e dhomës së ndejes për të improvizuar zyrën time, dhe edhepse isha i rrethuar me dritare të mëdha nga dy anët, disi kujtoj të kem shkruar vetëm natën. Në vend të mbajturit mend pamjet nga dritarja, kujtoj rrapëllimën e përhershme të agregatëve/gjeneratorëve anembanë lagjes që e pamundësonin hapjen e dritareve përshkak të zhurmës.

Pamje e Manhattan-it nga dritarja e zyrës së Artrit-it në Queens
Pamje e Manhattan-it nga dritarja e zyrës së Artrit-it në Queens

Tani, kur lodhem nga shkrimi dhe leximi dhe korrigjimi, pushoj duke fantazuar dhe ënëdrruar me sy hapur ndërsa shijoj pamjen e horizontit të Manhattan-it nga dritarja ime. Në mes të dritareve kam të vendosur një monitor shtesë. Ngaqë shkruaj edhe në Shqip edhe në Anglisht, ekrani shtesë ma lehtëson punën kur mirrem me përkthime. (Mu është dashur të eksperimentoja mjaft gjatë me atë monitor të vjetër për ta ri-programuar për shfaqje për së gjati, në këtë mënyrë që të imitoj përmasat e një faqeje të shtypur).

Laptopi im me Windows 7 është akoma i fuqijshëm për shkrim, video lojra, eksperientim me dizajne të web faqes time, dhe ndonjë projekt të rastit në Photoshop apo Premiere. Por ngaqë gjithmonë e kam problem disciplinën, gjithashtu kam një sistem të thjeshtë për të mbajtur hesapet e shfrytëzimit të kohës. “Grafikoni i Produktivitetit” është një kalendar i zbrazët mujorë të cilin e ngjyrosi me ngjyra të ndryshme që i përgjigjen aktiviteteve të caktuara. Siq mund të shihni, ka kaluar gjysma e muajit dhe grafikoni mu është mbushur me katrorë të kuq (që do të thotë se duhet t’i ndaloj pak video lojrat dhe shikimin e filmave), e gjithashtu nuk ka mjaft katrorë të verdhë që përfaqsojnë proçesin e shkrimit (ndërsa ngjyrat tjera janë në nivele të dëshiruara – gjelbërt për ushtrime dhe palestër, kaltërt për lexim, etj).

Mbase do të më duhet ta shpiki një ngjyër të veçantë për lojë me maqinë shkrimi.


Ky shkrim është botuar fillimisht në Anglisht në DrDoctor.

Shpërndani këtë shkrim me:

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>